Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka thënë se vendimi për t’ia dhënë Katarit organizimin e Kupës së Botës 2022 ishte një gabim.
86-vjeçari ishte kreu i organit qeverisës botëror të futbollit kur Katari fitoi në mënyrë të diskutueshme votimin për këtë ngjarje në vitin 2010.
Por Blatter, i cili u detyrua të jepte dorëheqje në vitin 2015 pasi FBI hapi hetimet për korrupsionin e dyshuar në FIFA, tani pranon se Katari është shumë vend i vogël për të organizuar turneun dhe mendon se Shtetet e Bashkuara duhet të kishin fituar këtë organizim.
“Zgjedhja e Katarit ishte një gabim”, tha Blatter për gazetën zvicerane “Tages-Anzeiger”.
“Në atë kohë, ne në fakt ramë dakord në komitetin ekzekutiv që Rusia të merrte Kupën e Botës 2018 dhe SHBA-të atë të vitit 2022. Do të ishte një gjest paqeje nëse dy kundërshtarët politikë prej kohësh do të kishin organizuar Kupën e Botës njëri pas tjetrit”.
“Katari është një vend shumë i vogël. Futbolli dhe Kupa e Botës është shumë e madhe për këtë”, tha në fund Blatter.
Kupa e Botës 2022 do të fillojë më 20 nëntor dhe ndeshje hapëse do të jetë ajo ndërmjet Katarit dhe Ekuatorit.