UBT News

Ish-portieri i Manchester City njofton tërheqjen nga futbolli

Ish-portieri i Manchester Cityt dhe kombëtares angleze, Joe Hart ka vendosur të varë dorëzat në gozhdë në moshën 36-vjeçare. Gardiani që aktualisht është pjesë e skuadrës së njohur skoceze, Celtic, ka njoftuar klubin se do të tërhiqet nga futbolli aktiv në fund të këtij sezoni.

Joe Hart hapat e parë i mori te Shrewsbury Town në Angli, ku edhe debutoi në futbollin profesionist. Kurse më vonë u transferua te Manchester City, ku qëndroi nga 2006 deri në 2018-ën dhe numëron gjithsej plot 266 paraqitje.

Me ardhjen e Pep Guardiolës te “Citizens”, portieri anglez nuk e gjente veten më si pjesë e klubit, pasi loja me këmbë nuk ishte një nga armët e forta e tij dhe për këtë arsye, trajneri spanjoll vendosi ta largojë nga skuadra.

Prej verës së 2021, Hart u transferua në Skoci, ku edhe u shndërrua në titullar të Celtic duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm me klubin nga Glasgow. Joe Hart numëron edhe 75 ndeshje me përfaqësuesen e Anglisë, në periudhën 2008-2017./UBTNews/

Exit mobile version