UBT News

​Ish-lojtari i Arsenalit në koma pas dëmtimit të rëndë në tru

Futbolli anglez është tronditur nga lajmi i rëndë për ish-sulmuesin e Arsenalit, Billy Vigar, i cili është vendosur në koma të induktuar pas një incidenti gjatë ndeshjes së fundjavës në Isthmian League Premier Division.

21-vjeçari, që aktualisht luan për Chichester City, pësoi dëmtimin serioz në minutën e 13-të të sfidës kundër Wingate & Finchley, duke detyruar ndërprerjen e menjëhershme të lojës.

Klubi konfirmoi se Vigar është në kujdes intensiv, ku po merr trajtimin më të mirë të mundshëm, ndërsa gjendja e tij mbetet kritike.

“Është shumë herët për të thënë se cili do të jetë rezultati. Edhe nëse gjërat shkojnë mirë, rruga drejt rikuperimit do të jetë e gjatë,” thuhet në deklaratën e Chichester City.

Mediat britanike raportojnë se sulmuesi mund të jetë përplasur me një mur betoni, megjithatë kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga klubi.

Billy Vigar iu bashkua akademisë së Arsenalit në moshën 14-vjeçare dhe luajti për ekipet U18 dhe U21 të londinezëve, përpara se të huazohej te Derby County dhe Eastbourne Borough.

Pas largimit nga “Topçinjtë” në vitin 2024, ai u bashkua me Hastings United dhe këtë sezon kishte realizuar një gol në katër paraqitje për Chichester City.

Klubi, ish-bashkëlojtarët dhe tifozët i kanë dërguar urime për shërim sa më të shpejtë sulmuesit të ri./S.K/KP/

Exit mobile version