Ish-kryeministrja kroate Jadranka Kosor përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka shkruar se bashkëndjenë dhimbjen me familjet e viktimave dhe të lënduarve në aksidentin e tmerrshëm që ka ndodhur në Kroaci, ku humbën jetën 10 persona dhe mbi 40 tjerë u dërguan për hospitalizim.
Një autobus që po vinte nga Gjermania, transportonte qytetarë nga Kosova, ku në një moment shoferin e kishte zënë gjumi duke bërë që të humb kontrollin mbi mjetin dhe të shkakton aksident me fatalitet, transmeton Telegrafi.
E mjaftoi një postim i ish-kryeministres kroate, që shumë serbë me profile të rrejshme t’i replikojnë dhe të praktikojnë gjuhë të urrejtjes.
Megjithatë, kjo i pengoi shumë Kosorit e cila kishte shkruar se “zemrat tone janë me Kosovën”, duke iu kundërpërgjigjur komentuesve që përdornin gjuhë të urrejtjes.
“Zot i madh, sa shumë komente negative në postimin e tim se si zemrat tona janë me Kosovën. Aq tragjedi e madhe, njerëz të vdekur, familje të zhytura në vaj, e këto fakte te shumë njerëz nuk kanë nxitur as edhe një grimcë keqardhje. Frikësohem nga kjo urrejtje”, ka shkruar Kosor.
Ndryshe shteti kroat që nga momenti që ka ndodhur aksidenti, ka aktivizuar të gjitha shërbimet për t’i dalë në ndihmë qytetarëve nga Kosova që gjendeshin brenda këtij autobusi. /Telegrafi/