Ish-kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, është arrestuar pas hetimeve nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO).
Ministria e Brendshme e Bullgarisë tha se ai ishte mbajtur në paraburgim për 24 orë.
Zyrtarët i thanë Euronews Bulgaria se hetimi po drejtohej nga EPPO dhe ishte i lidhur me keqpërdorimin e supozuar të fondeve të BE.
“Një operacion në shkallë të gjerë të zbatimit të ligjit është duke u zhvilluar në lidhje me 120 raste të Prokurorisë Publike Evropiane në Bullgari”, thuhet në njoftimin për shtyp nga ministria e brendshme e Bullgarisë.
Krahas Borisov u arrestua edhe këshilltarja e tij për media Sevdalina Arnaudova, ish-ministri i financave Vladislav Goranov dhe Menda Stojanova, ish-kryetarja e komisionit të buxhetit të parlamentit.
Borisov tani është në paraburgim policor, sipas avokatit të ish-kryeministrit, Menko Menkov./UBTNews/