UBT News

Ish-hendbollistja e KH Istogu tani sekretare e klubit futbollistik FC Phoenix-Banjë

Fabiana Ferati, 31-vjeçarja nga qyteti i Istogut, është sekretarja e klubit futbollistik FC Phoenix-Banjë. Dashuria e madhe për sportin si një hendbolliste e hershme e riktheu atë të kontribuojë tani në futboll. Puna e saj në klub filloi vetëm si një ndihmëse e babait, por më pas u bë profesion.

“Ideja lindi spontanisht pasi që babai im u vendos në pozitën e kryetarit të klubit dhe me ftesën e tij për angazhim dhe ndihmë rreth punëve adminstrative të klubit, më bëri që pa hezitim të pranojë ftesën për bashkëpunim”, tha ajo.

Për Fabianën nuk është aspak e vështirë që të punojë në këtë drejtim pasi që u rrit në një frymë të futbollit. Babai i saj, Muhedin Ferati, ishte gjyqtar i Superligës së Kosovës, kurse vëllau i saj, Larson Ferati, është futbollist.

“Paragjykimet janë gjithmonë prezente në vendin tonë, mirëpo me përkrahjen e babait, stafit të klubit dhe mirësjelljes së ekipit, gjithçka ka qenë më e lehtë”, tregoi tutje ajo.

Klubi FC Phoenix-Banjë garon në grupin A të Ligës së Parë në futbollin e Kosovës ku ka përmbyllur stinorin vjeshtor në vendin e tretë dhe e ka siguruar kalimin në 1/8 të finales në Kupën e Kosovës.

“Synimi i klubit është inkuadrimi në BKT Superligën e Kosovës dhe besoj fuqishëm që me angazhimin maksimal të ekipit, synimi ynë do të realizohet”, shtoi ajo.

Për fund ajo kishte një mesazh.

“Mesazhi im për çdo vajzë të re e cila është në ndjekje dhe realizim të ëndrrës të mos ndalen asnjëherë, t’iu bëjnë ballë paragjykimeve dhe të mos e kthejnë kokën pas, mos të dorëzohen në asnjë moment sepse me vullnet dhe punë çdo gjë mund të realizohet”, përfundoi Fabiana./UBTNews

Alketa Zejnullahu, studente e vitit të dytë në Media dhe Komunikim

Exit mobile version