Medalisti olimpik, Tony Martin do ta shesë në ankand medaljen e argjendtë që e fitoi në Lojërat Olimpike në Londër të vitit 2012, për të mbledhur fonde për fëmijët në Ukrainë.
Në një postim që e shkroi në Instagram të dielën, çiklisti gjerman tha se është gabim të ulesh dhe të presësh se çfarë do të ndodhë tutje, pas fotografive që po qarkullojnë rreth situatës në Ukrainë qysh prej fillimit të pushtimit rus. Ai tha se paratë e mbledhura nga ankandi do të shkojnë për “Wir helfen Kindern” — një fondacion që do të mbështesë fëmijët dhe familjet e tyre.
“Shpreh respektin maksimal për të gjithë ata që ndihmojnë njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje, fëmijët ukrainas dhe familjet e tyre. Edhe unë dua të bëj pjesën time të vogël dhe të ndihmoj”, deklaroi ai.
“Nuk është e lehtë ndarja nga trofeu më i madh që munda të fitoj në karrierën time, por duke marrë parasysh faktin që miliona njerëz humbën pothuajse gjithçka, është diçka që unë me të vërtetë dua ta bëj”, shtoi ai më tej.
Të paktën 4.3 milionë fëmijë të zhvendosur
Martin, i cili u pensionua në vitin 2021, fitoi katër tituj botërorë. Por medalja e argjendtë që e fitoi në Londër në vitin 2012 mbetet më e veçanta.
Ankandi online për shitjen e medaljes zgjat deri më 9 prill dhe me oferta aktuale është 9 mijë e 600 euro (mbi 10 mijë e 500 dollarë).
Një në çdo dy fëmijë ukrainas është zhvendosur qëkur Rusia filloi pushtimin e saj më 24 shkurt, sipas një deklarate nga Fondi i OKB-së për Fëmijët të enjten.
Në deklaratë tutje thuhet se 4.3 milionë fëmijë janë zhvendosur, që përfaqëson më shumë se gjysmën e popullsisë së vlerësuar me 7.5 milionë fëmijë të Ukrainës./UBTNews/