Ish-anëtari i Komitetit të Nobelit për Letërsinë, Krisroffer Leandoer është shprehur në një intervistë për Euronews Albania se Akademia Suedeze ka befasuar sërish me çmimin e fundit për letërsinë.
Z. Leandoer tregoi se nuk e kishte dëgjuar asnjëherë emrin e shkrimtarit Abdulrazak Gurnah nga Tanzania, që fitoi çmimin Nobel në Letërsi.
“Nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë emrin e tij. Mendoj se është e mrekullueshme. Mendoj se kjo është mënyra sesi duhet të funksionojë. Akademia ia doli të na befasojë, sërish, gjë e cila është shumë e mire”, u shpreh ai.
Para se të shpallej emri i fituesit, z. Leandoer na tregoi për pritshmëritë dhe parashikimet e veta.
“Do të hamendësoja për një shkrimtar norvegjez. Mendoj ndoshta Karl Ove Knausgard, dramaturgu Jon Fosse ose autori më pak i njohur novelisti Dag Solstad”, tha ai.
“Mendoj se çmimi do i shkojë një burri, mendoj se do i shkojë një novelisti, sepse vitin e shkuar i shkoi një gruaje dhe ishte poete”, pohoi ai më tej.