Më 24 shtator, Kosova do të përballet me Irlandën në Prishtinë, ndërsa Austria dhe Izraeli do të takohen në Linz. Këto janë ndeshjet e para të Grupit 3 të Ligës B të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Grupi vlerësohet si i fortë dhe mjaft i barabartë, me të katërta përfaqësueset që synojnë vendin e parë dhe avancimin në Ligën A.
Edhe pse ndeshjen e parë Irlanda e zhvillon ndaj Kosovës, në këtë përfaqësuese vëmendja kryesore aktualisht është te sfida e dytë, ajo kundër Izraelit.
Irlanda dhe Izraeli do të përballen më 27 shtator në Debrecen të Hungarisë, me Izraelin si vendas. Pikërisht në Debrecen do të zhvillohet edhe ndeshja Izrael – Kosovë, më 1 tetor.
Në Irlandë, mbështetja për Palestinën është e madhe dhe prej kohësh ka zëra që kërkojnë që ndeshjet ndaj Izraelit të mos zhvillohen. Madje, kjo mundësi është shqyrtuar edhe nga Federata Irlandeze, por në fund është vendosur që ndeshjet të luhen, pasi një bojkot do të mund të sillte sanksione të rënda.
Për shkak të shqetësimeve për mundësi incidentesh, Irlanda ka vendosur që edhe ndeshjen si vendase ndaj Izraelit ta zhvillojë në terren neutral. Sfida do të luhet më 4 tetor në Serbi dhe do të zhvillohet pa praninë e tifozëve.
Selektori i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka treguar se ka zhvilluar biseda individuale me lojtarët për situatën dhe për ndeshjet ndaj Izraelit.
“Askush prej nesh nuk ndihet rehat duke luajtur në këto ndeshje”, ka thënë Hallgrimsson.
“Sigurisht që kemi mendime të ndryshme dhe qëndrime me intensitet të ndryshëm. Mendoj se është mirë të them, pa hyrë në detaje për individë, se askush prej nesh nuk ndihet rehat duke luajtur në këto ndeshje. Por, pasi kemi vendosur t’i luajmë ato, ne qëndrojmë të gjithë të bashkuar dhe luajmë si një trup i vetëm”, ka shtuar ai.
Në korrik, delegatët e Federatës Irlandeze e mbështetën vendimin për zhvillimin e ndeshjeve, pavarësisht presionit për bojkot. Në federatë kishte shqetësime se moszhvillimi i tyre do të shkaktonte dëme të konsiderueshme.
Presioni ka ardhur edhe nga lëvizja “Irish Sport”, e cila përmes fushatës “Stop The Game” ka bërë thirrje për bojkot të ndeshjeve me Izraelin. Kjo thirrje është mbështetur edhe nga ish-trajnerë dhe ish-futbollistë të Përfaqësueses së Irlandës.
Në maj, një ndeshje e Irlandës ndaj Katarit në Dublin u ndërpre përkohësisht pasi në fushë u hodhën topa tenisi që përmbanin mesazhe në mbështetje të Palestinës.
Sa i përket formës sportive, Irlanda së fundmi është mposhtur 1:0 nga Portugalia, më 11 tetor 2025.
Megjithatë, Hallgrimsson insiston se skuadra e tij është në një moment pozitiv.
“Jemi në seri pozitive dhe duam të vazhdojmë atë”, ka deklaruar selektori irlandez.
“Jemi të pamposhtur në shtatë ndeshje dhe mendoj se asnjë përfaqësuese nuk dëshiron të luajë kundër Irlandës për momentin”, ka përfunduar Hallgrimsson.
D.L
