UBT News

Irlanda Veriore: Hera e dytë brenda javës që një autobus digjet nga bandat

Një autobus është shkatërruar pasi është rrëmbyer dhe djegur në Newtownabbey të Irlandës Veriore, përcjell UBT News.

Policia tha se katër burra hipën në autobus, urdhëruan pasagjerët dhe shoferin të zbrisnin dhe më pas e dogjën atë. Sipas policisë, askush nuk u lëndua.

Kjo është hera e dytë brenda një jave që një autobus rrëmbehet dhe digjet në Irlandën e Veriut.

Mëngjesin e së hënës së kaluar dy burra të armatosur dhe të maskuar hipën në një autobus në Newtownards, urdhëruan shoferin të largohej dhe më pas i vunë flakën.

Pas incidentit, ministri i Infrastrukturës, Nichola Mallon tha se ishte “e turpshme dhe e neveritshme” që punëtorët e transportit publik ishin vënë në shënjestër, transmeton UBT News.

“Pa autobusë njerëzit nuk mund të shkojnë dhe të kthehen në punë, as në shkollë, as në spital. Shoferët tanë të autobusëve janë njerëz të klasës punëtore që meritojnë të jenë të sigurt në punët e tyre“, tha ai. “Njerëzit që përdorin transportin publik gjithashtu meritojnë të ndihen të sigurt dhe të jenë në gjendje të kryejnë punët e tyre pa frikë”.

Udhëheqësi i DUP, Jeffrey Donaldson e përshkroi incidentin si “të pakuptimtë”.

“Sjellje të tilla kriminale mund të çojnë në vdekje ose lëndime serioze”, shkroi ai në Twitter. “Kjo vetëm dëmton njerëzit vendas dhe komunitetet lokale. Nuk shërben për asnjë kauzë. Ndryshimin e sjell politika dhe jo djegia e autobusëve”.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Naomi Long tha: “Me rrëmbimin dhe djegien e një autobusi nuk arrihet asgjë. Ajo që arrini është terrorizimi dhe frikësimi i njerëzve që thjesht po përpiqen të fitojnë bukën e gojës ose të kthehen në shtëpi te familjet e tyre”, shtoi ajo./UBTNews/

Exit mobile version