Irlanda pritet të ketë mbështetjen e një numri të konsiderueshëm tifozësh në ndeshjen ndaj Kosovës, e cila zhvillohet nesër nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Federata e Futbollit të Irlandës ka publikuar udhëzimet dhe informacionet e nevojshme për tifozët që do të udhëtojnë drejt Kosovës, duke përfshirë edhe disa këshilla për qëndrimin e tyre në Prishtinë.
Në njoftimin e saj, federata irlandeze e përshkruan Prishtinën si qytet përgjithësisht të sigurt dhe mikpritës për tifozët mysafirë, ndërsa u ka bërë thirrje atyre që të jenë të kujdesshëm me gjërat personale në zonat me shumë njerëz.
Vëmendje e veçantë u është kushtuar edhe flamujve.
“Flamuri i Kosovës dhe ai i vendit simotër, Shqipërisë, janë shumë të dukshëm në Prishtinë. Këshillohet të mos shfaqen flamuj të tjerë të rajonit, aktual apo nga e kaluara”, thuhet në udhëzimin e Federatës së Futbollit të Irlandës.
Ndeshja Kosovë–Irlandë pritet të zhvillohet para tribunave të mbushura, me stadiumin “Fadil Vokrri” që pritet të jetë në kapacitet të plotë për duelin e së enjtes mbrëma.
D.L
