Kombëtarja e Irlandës do të jetë pa dy lojtarë në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve ndaj Kosovës, e cila do të zhvillohet në Prishtinë të enjten mbrëma, nga ora 20:45.
Përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka vendosur të ftojë mesfushorin e St. Mirren, Killian Phillips, në skuadrën për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Thirrja e Phillips vjen pas tërheqjes nga grumbullimi të Jamie McGrath dhe Harvey Vale. Të dy mesfushorët, që aktivizohen te Hibernian dhe Queens Park Rangers, respektivisht, kanë pësuar lëndime gjatë ndeshjeve me klubet e tyre në fundjavë.
Phillips pritet t’i bashkohet skuadrës në Dublin gjatë ditës së sotme, përpara nisjes drejt Prishtinës, ku Irlanda do të përballet me Kosovën të enjten, më 24 shtator.
Pas sfidës në Prishtinë, Irlanda do të udhëtojë drejt Debrecenit të Hungarisë, ku do të përballet me Izraelin. Më pas, skuadra irlandeze do të rikthehet në Dublin për ndeshjen ndaj Austrisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Aviva”.
Aventura e këtij afati do të mbyllet me një tjetër përballje ndaj Izraelit, këtë herë në Baçka Topola të Serbisë.
D.L
