Shahistja iraniane, Sara Khadem, e njohur si Sarasadat Khademalsharieh, mori pjesë në një turne ndërkombëtar të shahut pa hixhab, raportoi të martën gazeta iraniane e lajmeve, Jamaran.
Khadem është sportistja e fundit që u paraqit në një garë pa hixhab qëkur shpërthyen protestat antiqeveritare gjatë muajit shtator në Iran.
Khadem u shfaq në fotot e shpërndara nga Jamaran pa hixhab, i cili është i detyrueshëm sipas kodit të veshjes së Iranit, gjatë pjesëmarrjes së saj në Kampionatin Botëror të Shahut të Shpejtë dhe Blitz FIDE në Almaty të Kazakistanit.
Shahistja e lindur në vitin 1997 renditet në vendin e 804-të në mesin e lojtarëve aktivë globalisht dhe renditet si numri 10 në Iran, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shahut./UBTNews/