Garda Revolucionare e Iranit ka njoftuar se ka shënjestruar me raketa dhe dronë bazat ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt të mërkurën. Ky operacion erdhi si kundërpërgjigje ndaj një vale sulmesh paraprake të ndërmarra nga SHBA-të, të cilat u nisën pasi Irani sulmoi tri cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, duke shkelur kështu armëpushimin e vendosur.
Sipas mediave të huaja, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike kreu një sulm të përbashkët ndaj bazës kryesore ushtarake amerikane në Bandar Salman (Distrikti i Pestë Detar i Bahrejnit) dhe Bazës Ajrore “Ali Al Salem” në Kuvajt. Gjatë këtij aksioni, forcat iraniane pretendojnë se kanë rrëzuar edhe një dron amerikan të tipit MQ-9 që po përpiqej të ndërhynte. Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të dyja shtetet pritëse, ndërsa ushtria kuvajtiane konfirmoi se mbrojtja e saj ajrore u angazhua për të zmbrapsur sulmet “armiqësore”.
Para këtij eskalimi, Uashingtoni zyrtar kishte ashpërsuar masat ndaj Teheranit duke nisur goditje ushtarake dhe duke revokuar licencën që i lejonte Iranit shitjen e naftës. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) sqaroi se operacioni amerikan kishte për qëllim t’i impononte një kosto të lartë Iranit për sulmet ndaj anijeve, duke konfirmuar se mes objektivave të goditura ishin më shumë se 60 anije të vogla të Gardës Revolucionare. CENTCOM e cilësoi aksionin iranian si një agresion të pajustifikuar dhe shkelje të rrezikshme që minon lirinë e lundrimit. /E.A/
