UBT News

Irani propozon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit: Teherani kërkon heqjen e bllokadës amerikane

Ngushtica e Hormuzit

Irani ka paraqitur një propozim të ri për t’i dhënë fund bllokadës në Ngushticën strategjike të Hormuzit, por pa përfshirë në marrëveshje programin e tij bërthamor. Sipas zyrtarëve rajonalë, kushti kryesor i Teheranit është që Shtetet e Bashkuara të përfundojnë bllokadën ndaj porteve iraniane.

Ky propozim, i përcjellë përmes Pakistanit, vjen në një kohë kur Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, po viziton Rusinë për t’u konsultuar me Vladimir Putinin lidhur me konfliktin ndaj Izraelit dhe SHBA-së. Megjithatë, gjasat për një marrëveshje mbeten të vogla, pasi Presidenti Donald Trump insiston që çdo pakt duhet të përfshijë dhënien fund të programit atomik të Iranit.

Presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se nuk ka nevojë për ndërmjetësues të tjerë, duke sugjeruar komunikim të drejtpërdrejtë:

“Ne i kemi të gjitha letrat në dorë. Nëse ata duan të flasin, mund të vijnë tek ne, ose mund të na telefonojnë”, ka thënë Trump për Fox News.

Nga ana tjetër, Araghchi ka fajësuar Uashingtonin për dështimin e deritanishëm të bisedimeve, duke i cilësuar kërkesat e SHBA-së si “të tepruara”.

Bllokimi i kësaj pike kyçe, ku kalon një e pesta e tregtisë globale të naftës dhe gazit, ka mbajtur çmimet e karburanteve në nivele alarmante. Ndërsa Irani ka kufizuar lëvizjen në ngushticë, SHBA po zbaton bllokadë në portet iraniane, duke lënë dhjetëra tankerë të bllokuar në Gjirin Persik.

Shtëpia e Bardhë ka anuluar dërgimin e emisarëve Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Pakistan, për shkak të asaj që Trump e quajti “mungesë e përparimit” nga ana e Iranit. Për momentin, ngërçi diplomatik dhe ushtarak vazhdon të mbajë tregjet globale të energjisë nën tension.

 

Exit mobile version