Irani pretendoi të mërkurën se kishte lëshuar me sukses në hapësirë një satelit që fotografon pamje të Tokës, një lëvizje që mund të shtojë tensionet me vendet perëndimore që druhen se teknologjia e tij hapësinore mund të përdoret për zhvillimin e armëve bërthamore.
Ministri i Iranit për Komunikimin, Isa Zarepour tha se sateliti Noor-3 është lëshuar në orbitë 450 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve të Iranit, IRNA.
Nuk u bë e qartë se kur u lëshua sateliti.
Lëshimi i satelitit apo vendosja e tij në orbitë nuk u konfirmua nga zyrtarë të Perëndimit.
Ushtria e Shteteve të Bashkuara nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press.
Në vitet e fundit Irani ka dështuar disa herë të lëshojë satelitë.
Sateliti i fundit u lëshua nga Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit. Gjenerali Hossein Salami, komandanti i Gardës, i tha televizionit shtetëror se lëshimi kishte qenë “një fitore” dhe se sateliti do të mbledhë të dhëna dhe fotografi.
Autoritetet shpërndanë pamje të një rakete që u ngrit nga një strukturë e lëvizshme për lëshimin e raketave, por pa saktësuar se ku ndodhi lëshimi.
Detaje nga videoja e shpërndarë lënë të kuptohet se ajo mund të jetë lëshuar nga baza e Gardës Revolucionare paraushtarake në Shahroud, rreth 300 kilometra në verilindje të kryeqytetit, Teheran. Baza ndodhet në rajonin e Semnanit, ku ndodhet baza e Imamit Khomeneini për lëshimin e mjeteve hapësinore, ku zbatohet program hapësinor civil i Iranit.
Garda Revolucionare paraushtarake ka programin e vet hapësinor dhe një strukturë ushtarake paralele me forcat e rregullta të armatosura të Iranit dhe i përgjigjet vetëm Udhëheqësit Suprem Ayatollah Ali Khamenei.
Ajo lëshoi satelitin e parë në hapësirë në prill të vitit 2020. Por kreu i Komanadës së Hapësirës së Shteteve të Bashkuara e mimizoi atë duke thënë se nuk do të ofronte të dhëna të rëndësishme.
Sanksionet e vendosura nga vendet Perëndimore e ndalojnë Iranin të importojë teknologji të përparuar vëzhgimi.
Shtetet e Bashkuara thonë se lëshimi i satelitëve nga Irani, bie ndesh me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe i ka bërë thirrje Teheranit të mos ndërmarrë asnjë veprimtari lidhur me raketa balistike, që ato të kenë dhe të përdorin mbushje bërthamore.
Sipas një vlerësimi të zbulimit amerikan në vitin 2022, zhvillimi i mjeteve për lëshimin e satelitëve “shkurton hapësirën kohore” që Irani të zhvillojë një raketë balistike ndërkontinentale sepse teknologjia është e njëjta.
Irani, në mënyrë të vazhdueshme ka mohuar se po kërkon të zhvillojë armë bërthamore dhe thotë se programi i saj në hapësirë, si për shembull aktivitetet e saj bërthamore, bëhen për qëllime civile.
Shërbimet inteligjente amerikane dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore thonë se Irani braktisi një program të organizuar bërthamor ushtarak në vitin 2003.
Tensionet me vendet e Perëndimit lidhur me programin bërthamor të Iranit janë të larta. Programi bërthamor i Teheranit ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, qëkurse zoti Trump, 5 vjet më parë i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me fuqitë botërore dhe riktheu sanksionet me pasoja të rënda ndaj Teheranit.
Përpjekjet për rigjallërimin e marrëveshjes ngecën më shumë se një vit më parë.
Që atëherë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore ka thënë se Irani ka mjaftueshëm uranium të pasuruar për të ndërtuar “një sërë” armësh bërthamore, nëse vendos ta bëjë një gje të tillë.
Irani po ashtu po ndërton një bazë bërthamore nëntokësore, që me gjasë do të jetë i paprekshëm nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara ose Izraelit.
Të dy vendet kanë thënë se do të ndërmarrin veprime ushtarake nëse është e nevojshme, për të parandaluar Iranin të zhvillojë armë bërthamore.
Irani ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, por thotë se Shtetet e Bashkuara duhet së pari të lehtësojnë sanksionet./syri.net/