Pasi dyshohet se e ka furnizuar Rusinë me dronë, Irani tani do t’i sigurojë Kremlinit raketa balistike, kanë thënë zyrtarët e sigurisë për Washington Post.
Muajin e kaluar, qeveria iraniane dërgoi zyrtarë në Rusi për të rënë dakord mbi kushtet përfundimtare të rritjes së fluksit të armëve, sipas zyrtarëve të sigurisë së ShBA-së dhe aleatëve.
Armët e reja, sipas WP, do të përfshijnë dy raketa balistike me rreze të shkurtër, Fateh-110 dhe Zolfaghar, si dhe dy lloje të raketave iraniane tokë-tokë.
Irani po përgatitet gjithashtu të dërgojë në Rusi një numër të madh të Shahed-136, që nganjëherë quhen “dronë kamikazë”, dhe mjete ajrore pa pilotë, thanë zyrtarët.
Më vonë sot, ministrat e jashtëm evropianë do të diskutojnë transferimin e dronëve iranianë në Rusi dhe mund të arrijnë në një marrëveshje politike për sanksionet e ardhshme në lidhje me një aktivitet të tillë, shkruan Skynews, përcjell Klankosova.tv
Franca dhe Gjermania, të dyja palët në marrëveshjen bërthamore të 2015 me Iranin, e kanë bërë të qartë se besojnë se sanksionet e reja në lidhje me dronët e përdorur nga Rusia janë të nevojshme dhe se transferimi i dronëve duhet të shihet si shkelje e rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Irani ka mohuar furnizimin me dronë në Rusi, ndërsa Kremlini nuk ka komentuar.