Irani ka paralajmëruar vendet që mbështesin sanksionet kundër tij se mund të përballen me vështirësi gjatë kalimit të anijeve të tyre në Ngushticën e Hormuzit, raportojnë mediat shtetërore iraniane.
Brigadier Gjeneral Amir Akraminia, zëdhënës i ushtrisë iraniane, deklaroi se shtetet që zbatojnë masa ndëshkuese ndaj Teheranit do të hasin “probleme” në këtë korridor detar me rëndësi strategjike.
Shtetet e Bashkuara prej vitesh kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Iranit, ndërsa masa të ngjashme kanë ndërmarrë edhe Bashkimi Evropian, Britania dhe Australia. Këto vende kanë shprehur shqetësime lidhur me programet ushtarake të Iranit, situatën e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e grupeve militante.
Gjatë periudhës së tensioneve të fundit, Irani kishte paralajmëruar më herët edhe anijet e vendeve që mbështesin operacionet ushtarake amerikane dhe izraelite.
Në anën tjetër, disa shtete po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një misioni të përbashkët për mbrojtjen e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, e cila konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale. Britania ka bërë të ditur se do të dërgojë një anije luftarake në Lindjen e Mesme për të kontribuar në sigurinë e lundrimit në këtë zonë. /CNN/
