UBT News

Irani nis ekzekutimin e dënimeve ndaj protestuesve të janarit

Zëvendëskryetari i parë i Gjyqësorit iranian, Hamzeh Khalili, njoftoi këtë të hënë se rastet e personave të arrestuar gjatë protestave mbarëkombëtare në fillim të këtij viti janë procesuar dhe tashmë ka nisur zbatimi i dënimeve përfundimtare, raporton Reuters.

Protestat masive anti-qeveritare që tronditën vendin në janar u shtypën përmes ndërhyrjes më të ashpër në historinë e Republikës Islamike. Sipas agjencisë së lajmeve të gjyqësorit “Mizan”, Khalili deklaroi se për elementët që ai i cilësoi si “terroristë dhe rebelë” nuk do të ketë asnjë lloj tolerance dhe se disa prej dënimeve janë ekzekutuar tashmë ditët e fundit.

Ky njoftim vjen vetëm një javë pasi Irani ekzekutoi tre burra të akuzuar për vrasjen e dy zyrtarëve policorë gjatë trazirave, veprim ky që ka rritur shqetësimin te organizatat për të drejtat e njeriut, si “Hengaw”.

Sipas këtyre grupeve, Teherani po intensifikon ekzekutimet ndaj të burgosurve politikë dhe protestuesve në mes të rritjes së presioneve ushtarake dhe ndërkombëtare. Khalili shtoi se gjyqësori do të jetë i pakompromis ndaj atyre që i quajti “infiltrues, mercenarë dhe tradhtarë që bashkëpunojnë me armikun”, teksa qindra persona janë arrestuar vetëm gjatë muajit mars, që prej fillimit të konfliktit me Izraelin dhe SHBA-në. /Reuters/

Exit mobile version