Pjesëmarrja e Iranit në Kupën e Botës 2026 mbetet e pasigurt për shkak të tensioneve politike me SHBA-në dhe Izraelin.
Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, deklaroi se Irani do të marrë pjesë si ekip i kualifikuar dhe se turneu organizohet nga FIFA, jo nga administrata amerikane. Ai theksoi se vendi pritës nuk është politik, por sportiv.
Sipas tij, Irani kërkon garanci se gjatë turneut nuk do të ketë fyerje ndaj simboleve shtetërore, veçanërisht ndaj Gardës Revolucionare Islamike. Ai përmendi edhe një incident në Kanada, ku delegacioni iranian pati probleme me vizat dhe sjelljen e autoriteteve të imigracionit.
Irani është parashikuar të luajë ndeshje në Los Angeles dhe Seattle, ndërsa FIFA ka deklaruar më herët se orari i ndeshjeve mbetet i pandryshuar, pavarësisht kërkesave për zhvendosje të tyre në Meksikë.
