Irani ka vendosur të ndërpresë shkëmbimin e mesazheve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ndërmjetësve, mes përshkallëzimit të tensioneve në rajon dhe sulmeve të fundit në Liban sipas nje raportimi të Reuters.
Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim ka bërë të ditur se ekipi negociator i Teheranit ka ndaluar komunikimet indirekte me Uashingtonin, duke e lidhur këtë vendim me zhvillimet e fundit në Liban, teksa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit vazhdojnë.
Tasnim raporton gjithashtu se Irani dhe i ashtuquajturi “Boshti i Rezistencës”, ku përfshihen aleatët e tij në Liban, Irak dhe Jemen, kanë hartuar një plan që parasheh bllokimin e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe aktivizimin e fronteve të tjera strategjike, përfshirë Ngushticën Bab el-Mandeb.
Sipas raportimit, këto masa synojnë “ndëshkimin e Izraelit dhe mbështetësve të tij”, ndërsa autoritetet iraniane kanë theksuar se nuk do të ketë negociata derisa të ndalen operacionet ushtarake izraelite në Liban dhe Gaza.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit, ndërsa çdo bllokim i saj mund të ketë ndikim të madh në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
