Irani akuzoi sot Francën për “destabilizimin” e rajonit të Gjirit pasi Parisi nënshkroi një marrëveshje rekord prej 14 miliardë eurosh me Emiratet e Bashkuara Arabe për blerjen e 80 avionëve luftarakë Rafale.
“Ne nuk duhet të injorojmë rolin e Francës në destabilizimin e rajonit”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Saeed Khatibzadeh.
“Ne prisnim që Franca të ishte më e përgjegjshme”, u shpreh ai. “Militarizimi i rajonit tonë është i papranueshëm dhe armët që ata shesin në rajon janë burim trazirash”.
Franca është përballur me kritika pasi disa nga këto armë janë përdorur në Jemen, ku një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite që përfshin Emiratet e Bashkuara Arabe po lufton rebelët e mbështetur nga Irani në një luftë që ka krijuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë.
Emiratet e Bashkuara Arabe ishin klienti i pestë më i madh për industrinë franceze të mbrojtjes, me një marrëveshje me vlerë prej 4.7 miliardë euro, nga 2011 deri në 2020, sipas një raporti parlamentar francez./UBTNews/