UBT News

Irani ankohet për trajtim të padrejtë në Botëror: “Jemi ekipi më i shtypur”

Përfaqësuesja e Iranit ka shprehur pakënaqësi të madhe me trajtimin që po i bëhet gjatë Kupës së Botës 2026, pasi lojtarëve dhe stafit iu kërkua të largoheshin menjëherë nga SHBA-ja pas ndeshjes së parë kundër Zelandës së Re.

Irani barazoi 2:2 me Zelandën e Re në ndeshjen hapëse të Grupit G, por vetëm pak orë pas përfundimit të takimit, ekipi u urdhërua të kthehej në bazën e tij stërvitore në Tijuana të Meksikës, pa pasur mundësi të kryente procesin e zakonshëm të rikuperimit.

Selektori i Iranit, Amir Ghalenoei, tha se vendimi i ka befasuar të gjithë në ekip.

“Pas ndeshjes na thanë se duhej të largoheshim menjëherë. Është shumë e rëndësishme për ne të kemi kohë për rikuperim, por na u kërkua të hipnim në aeroplan dhe të ktheheshim në bazën tonë. Jemi vërtet të shqetësuar për këtë”, deklaroi ai.

Për shkak të tensioneve politike, Irani është vendosur në Meksikë gjatë Botërorit, megjithëse të gjitha ndeshjet e fazës grupore i zhvillon në SHBA. Sipas ekipit iranian, udhëtimet dhe procedurat e sigurisë kanë krijuar vështirësi të mëdha.

Kapiteni Mehdi Taremi tha se skuadra iu nënshtrua kontrolleve të gjata dhe procedurave që zgjatën rreth pesë orë për një rrugë që normalisht është shumë më e shkurtër.

“Nuk e dimë pse po na kthejnë. Duket sikur të tjerët po bëjnë planin për ne. Vendimet për ne merren diku tjetër. Mendoj se jemi ekipi më i shtypur në Botëror”, u shpreh Taremi.

Ai gjithashtu i bëri thirrje FIFA-s që të ofrojë më shumë mbështetje për ekipin iranian.

“Mendoj se FIFA duhet të na ndihmojë më shumë se kaq. Çdo gjë është si katastrofë për ne”, shtoi sulmuesi iranian.

Ankesat e iranianëve nuk lidhen vetëm me udhëtimet. Sipas tyre, disa anëtarëve të rëndësishëm të delegacionit, përfshirë zyrtarë të federatës dhe pjesëtarë të stafit mbështetës, u janë refuzuar vizat për në SHBA.

Përballë këtyre vështirësive, Irani e nisi turneun me një barazim zhgënjyes ndaj Zelandës së Re, skuadër që renditet shumë më poshtë në klasifikimin botëror të FIFA-s.

Ndërkohë, jashtë stadiumit pati protesta nga qindra iraniano-amerikanë kundër qeverisë së Iranit. Megjithatë, brenda stadiumit përfaqësuesja iraniane gëzoi mbështetje të madhe nga tifozët e saj.

“Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme gjatë 90 minutave. Për ne ishte sikur të luanim në shtëpi”, përfundoi Taremi.

D.L

Foto: Associated Press

Exit mobile version