UBT News

Iran: Valës së arrestimeve nuk i shpëtojnë as të famshmit

Një futbollist ndërkombëtar, një bloger për teknologji, dhe një grua që hante mëngjesin e saj pa shami… asnjëri nuk shpëtoi pa u arrestuar!

Në Iran, askush që shpreh mospajtim ndaj sistemit në pushtet, përfshirë të famshmit, nuk është i sigurt nga vala e arrestimeve, e cila ka parë qindra të arrestuar në më shumë se tre javë protesta.

Aktivistët thonë se kur shpërthyen trazirat muajin e kaluar për vdekjen e Mahsa Aminit, e cila ishte arrestuar nga policia famëkeqe e moralit, autoritetet fillimisht iu drejtuan forcës vdekjeprurëse, duke vrarë dhjetëra në harkun kohor të ditëve.

Por, përveç kërcënimit të forcës, autoritetet kanë rritur numrin e forcës, me një fokus të veçantë tek ata që promovojnë video të protestave ose mesazhe kundër regjimit në mediat sociale.

“Ata kanë arrestuar shumë prej tyre — aktivistë kulturorë, aktivistë të të drejtave të grave dhe gazetarë. Kushdo që mund të transmetojë informacion në botën e jashtme ose në rrjetet e brendshme”, tha Roya Boroumand, drejtore e Qendrës Abdorrahman Boroumand në Uashington.

“Ka pasur arrestime masive”, shtoi ajo.

Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran (CHRI) me bazë në Nju Jork, tha se sipas numërimit të saj të paktën 1200 njerëz janë arrestuar, përfshirë të paktën 92 anëtarë të shoqërisë civile të cilët nuk u arrestuan në protesta në rrugë, por në mënyrë arbitrare në shtëpitë e tyre ose në punë.

“Ata nuk vrasin në përmasat që janë në gjendje – edhe pse mund ta bëjnë në të ardhmen e afërt – por po arrestojnë qindra njerëz që do të konsideroheshin si figura kryesore të këtyre protestave”, tha Shadi Sadr, drejtore e grupit “Drejtësia për Iranin” me bazë në Londër.

“Ata besojnë se mund t’i kontrollojnë protestat në mënyrë që ato të shuhen ngadalë dhe gradualisht”.

Lista e të arrestuarve deri tani përfshin sportistë të shquar, artistë, gazetarë, juristë, aktivistë, ekspertë të teknologjisë si dhe studentë dhe anëtarë të thjeshtë të publikut.

Futbollisti ndërkombëtar Hossein Mahini u arrestua për mbështetje të protestave, ndërsa ish-legjenda e futbollit Ali Karimi, që besohet se jeton jashtë Iranit, është akuzuar për aktivitetin e tij në rrjetet sociale.

Ali Daei, dikur golashënuesi më i mirë ndërkombëtar në botë në futbollin e meshkujve, iu konfiskua pasaporta pasi u kthye në Teheran nga jashtë, kjo pasi kritikoi ashpër republikën Islamike në mediat sociale.

Raportet nga Irani thanë gjithashtu se pasaportat e këngëtarit Homayoun Shajarian, djalit të këngëtarit legjendar Mohammad Reza Shajarian, dhe aktores së shquar Sahar Dolatshahi ishin konfiskuar në aeroport.

Këngëtari Shervin Hajipour, kënga e të cilit u bë një himn për protestat, u ndalua edhe pse është liruar me kusht dhe postoi një video të shpërndarë nga mediat brenda Iranit, ku ai e përshkroi situatën si një “keqkuptim”.

Ndërkohë, katër avokatë të Teheranit të njohur për trajtimin e çështjeve të ndjeshme — Mahsa Gholamalizadeh, Saeid Jalilian, Milad Panahipur dhe Babak Paknia — janë të gjithë të arrestuar, sipas CHRI.

Një tjetër viktimë e shquar e valës së arrestimeve ishte Amiremad Mirmirani, i njohur më mirë si Jadi, një nga blogerët më të shquar të teknologjisë në Iran, i cili u kap më 5 tetor kur agjentët e sigurisë hynë në shtëpinë e tij./UBTNews/

Exit mobile version