Puna në jug të Irakut është ndërprerë për shkak të vapës së madhe dhe ndërprerjes së energjisë elektrike, pasi Irani e ndërpreu furnizimin shkaku i faturave të papaguara.
Ministri irakian i Energjisë, Majed Mahdi Hantoosh, këtë javë e dorëzoi dorëheqjen, pasi temperaturat arritën në 50 gradë në distriktet jugore si Basra, ku kanë shpërthyer protesta kundër ndërprerjeve të rrymës.
Kriza erdhi në kohën kur shteti fqinj, Irani, që nganjëherë ia plotëson një të treten e nevojave për rrymë dhe gaz Irakut, i kufizoi në masë drastike eksportet, ndoshta si mënyrë për ta shtuar presionin ndaj qeverisë që t’i përmbushë detyrimet financiare, shkruan Independent, transmeton Gazeta Express.
Iraku i ka borxh miliarda Iranit për gaz dhe energji elektrike. Ndërkohë Irani edhe vetë po përballet me mungesë të energjisë dhe me reduktime.
Një zyrtar në Ministrinë e Energjisë tha se mesatarisht në ditë ka nga 18 orë mungesë të energjisë dhe kjo po ndikon në amvisëri, spitale dhe biznese. Ai shtoi se ka pasur edhe probleme të vjetra, por humbja e furnizimit nga Irani po e rëndon krizën edhe më shumë.
“Qeveria irakiane është në gjendje shumë të keqe për shkak të korrupsionit dhe planifikimit të rëndomtë e varësisë së vazhdueshme nga Irani për rrymë”, tha Ayad Khalaf nga një kompani për shpërndarjen e rrymës.