UBT News

IQMT kryen inspektime mbi shërbimet postare në gjithë Kosovën

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon aktivitetet intenzive inspektuese ndaj bizneseve që operojnë online, me fokus të veçantë te produktet që ndodhen në transport drejt konsumatorëve.

Aksioni po realizohet nga 10 ekipe inspektuese në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Deri më tani janë kryer mbi 24 inspektime të shërbimeve postare në të gjithë territorin e vendit.

Gjatë kontrolleve, ekipet e terrenit kanë evidentuar parregullsi të ndryshme, duke përfshirë rastet kur produktet nuk posedonin kupon fiskal, si dhe mungesën e deklaracionit të prejardhjes e dokumentacionit përcjellës.

Në përputhje me kuadrin ligjor, inspektorët u kanë dhënë afat subjekteve përkatëse për prezantimin e dokumentacionit të nevojshëm. Në rast të mospërmbushjes së kërkesave, do të ndërmerren masa administrative e ligjore, përfshirë sekuestrimin e mallit dhe shqiptimin e gjobave.

Përveç tetë qendrave kryesore, aksioni është shtrirë edhe në komunat e rajonit të Dukagjinit dhe më gjerë, si në Klinë, Istog, Deçan, Junik, Rahovec, Malishevë, Suharekë dhe Dragash. Ky proces përfshin gjithashtu monitorimin e faqeve online, reklamave si dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve. /E.A/

Exit mobile version