UBT News

IQMT gjobit me 9 mijë euro tri kompani postare dhe ndëshkon tregtarët e paregjistruar online

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar 70 inspektime ndaj kompanive të shërbimeve postare që shpërndajnë porositë e realizuara përmes platformave online, duke shqiptuar masa ndëshkuese për shkelësit e ligjit.

Sipas njoftimit të IQMT-së, tri kompani postare janë gjobitur me gjithsej 9,000 euro, pasi kanë refuzuar të ofrojnë të dhënat për bizneset apo personat fizikë nga të cilët kishin pranuar mallrat për transport. Gjithashtu, nga monitorimi i rrjeteve sociale dhe platformave të shitjes, janë identifikuar dhe gjobitur dy persona fizikë që ushtronin veprimtari tregtare të paregjistruar, të cilët janë obliguar të regjistrojnë bizneset e tyre brenda afatit ligjor.

Nga ky aksion inspektues, mbi 100 biznese janë formalizuar duke u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Njëkohësisht, IQMT bën të ditur se ka nisur kontrollet e rrepta për ofertat dhe zbritjet e promovuara me rastin e “Black Friday”. Inspektorati do të verifikojë nëse çmimet e reklamuara me zbritje përputhen me çmimet reale të shitjes, duke paralajmëruar gjoba konform Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit për çdo praktikë mashtruese. Kontrollet ndaj tregtisë online tashmë janë përfshirë në planin e rregullt të punës së këtij institucioni./E.A/

Exit mobile version