UBT News

IQMT aksion kundër udhërrëfyesve turistikë pa licencë: Gjobat shkojnë deri në 9 mijë euro

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka zhvilluar aksione inspektuese në regjionin e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me synim parandalimin dhe evidentimin e ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë nga udhërrëfyesit turistikë të palicencuar.

Gjatë inspektimeve, IQMT ka evidentuar se disa kompani nga vendet e rajonit po angazhojnë udhërrëfyes jo-vendas pa licencat e nevojshme, çka përbën shkelje direkte të ligjeve në fuqi.

“Përveç aspektit ligjor, angazhimi i personave të palicencuar mund të ndikojë edhe në mënyrën e prezantimit të historisë, trashëgimisë kulturore dhe vlerave reale të lokacioneve turistike që vizitohen në Republikën e Kosovës,” bëhet e ditur në njoftimin e Inspektoratit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) paralajmëroi se ushtrimi i kësaj veprimtarie në mënyrë të kundërligjshme përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3,000 deri në 9,000 euro. IQMT u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve turistikë që të angazhojnë vetëm kuadro të licencuara.

Kujtojmë se më 10 korrik 2026, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka pajisur me kartela identifikuese 12 udhërrëfyesit e parë të licencuar në Kosovë, të cilët janë: Naile Cekaj, Fisnik Thaçi, Orhan Ramadani, Fitim Bunjaku, Fatijona Bajra, Adriana Pllana, Akil Cejku, Muhamed Cejku, Muhamer Hasani, Ilir Sopjani, Enes Toska dhe Mirjeta Shatri./E.A/

Exit mobile version