Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike intervistuar katër persona nën dyshimet për zhvatje, respektivisht keqpërdorim në pasurin dhe interesat e FFK-së.
Sipas policisë, personat e dyshuar kanë keqpërdor autorizimet e tyre me qëllim që personit të huaj t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme duke lejuar pagesën e faturës për blerjen e një veture.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, sot me datë 04.04.2023, në vazhdën e hetimeve të zhvilluara në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), kanë intervistuar katër persona nën dyshimet për zhvatje, respektivisht keqpërdorim në pasurin dhe interesat e FFK-së. Personat e dyshuar, dyshohet se kanë keqpërdor autorizimet e tyre me qellim që personit të huaj ti sjellin dobi pasurore të kundërligjshme duke lejuar pagesën e faturës për blerjen e një veture. Andaj si rezultat i hetimeve të realizuara nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Prishtinë, dyshohet se vetura e lartcekur në mënyrë të kundërligjshme është përvetësuar dhe regjistruar në emër të personit privat në FKK, andaj e njëjta është sekuestruar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se katër personat e dyshuar, dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangia nga tatimi”.
Policia po ashtu ka bërë të ditur se në konsultim dhe koordinim me Prokurorin kompetent nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.