Kampioni i Serie A Inter e ka konfirmuar që është duke shikuar rreth mundësisë për ta shitur Christian Eriksen në një shtet tjetër, në mënyrë që mesfushori danez të vazhdojë karrierën e tij.
Pas vdekjes klinike që e pësoi në Kampionatin Evropian Euro 2020 në ndeshjen e Danimarkës kundër Finlandës, Eriksen tani ka një rregullator në zemrën e tij.
Si pasojë e kësaj pajisjeje, Eriksenit nuk i lejohet që të paraqitet në Serie A për shkak të rregullave që ka Italia, ku kjo e fundit nuk lejon që lojtarët me këtë lloj të pajisjes të paraqiten në fushë.
Përmes një deklarate për media në faqen zyrtare të Interit, njoftohej se klubi italian ka vendosur që ta largojë Eriksenin, në mënyrë që t’i mundësohet vazhdimi i karrierës në një vend tjetër.
“Me referenca të regjistruara në emrin e lojtarit Eriksen, vlera e të cilit në librat tonë më 30 qershor 2021 ishte 18.3 milionë euro, duhet të qartësojmë se pas lëndimit serioz të pësuar gjatë Kampionatit Evropian në qershor të 2021, të njëjtit i është ndaluar nga autoritetet mjekësore italiane aktiviteti në sezonin aktual të Serie A”, shkruante në deklaratën e Interit.
“Pavarësisht që me situatën aktuale lojtari nuk mund të ketë sukses në Itali, Eriksen mund të paraqitet në shtete të tjera, ku edhe mund të vazhdojë karrierën e tij si futbollist profesionis”, shkruante më tej te deklarata e kampionit italian.
Gjatë kësaj vere, Eriksen ishte i lidhur me një transferim tek ish-ekipi i tij Ajax, ku po ashtu spekulohej edhe për një rikthim të mundshëm te Tottenhami.
Javëve të fundit është spekuluar që edhe gjigandi spanjoll Real Madridi i ka hyrë garës që të sigurojë shërbimet e yllit danez.
Christian Eriksen iu bashkua Interit nga Tottenham në janar të vitit 2020, ku që nga ajo kohë ka arritur të bëjë 60 paraqitje në të gjitha garat, duke regjistruar tetë gola.