UBT News

Interi i rikthehet garës për titull

Mjafton një penallti e debatuar në sekondat e fundit të pjesës së parë për të rikthyer Interin në luftën për titullin italian.

Zikaltrit mposhtën në Torino Juventusin pikërisht falë penalltisë së realizuar nga turku Calhanoglu dhe ndal Juventusin pas 16 ndeshjes pa humbje për djemtë e Massimiliano Allegrit.

Gjithçka ndodh me faullin e Morata ndaj Dumfies, që nuk u pa nga arbitri Errati por nga VAR. Szczesny pret penalltinë e parë, topi përfundon gjithsesi në rrjetë por anulohet për parregullsi të mesfushorit turk të Interit.

Por drama në një ndeshje mes këtyre dy ekipeve nuk mungon kurrë. Serish ndërhyn VAR, duke parë një hyrje para kohe në zonën e rreptësisë të mbrojtësit De Ligjt, kështu që arbitri vendos për përsëritjen e penalltisë, që kësaj radhe nuk gabohet.

Juventusi në pjesën e dytë bën lojën, kap një shtyllë të pabesueshme me Zakaria dhe rrezikon më shumë, por Interi mbrohet mirë dhe menaxhon një fitore tejet të rëndësishme,  e para në Torino nga viti 2012, ku tashmë ka vetëm 3 pikë poshtë Napolit dhe Milanit, por me një ndeshje ende për t’u luajtur, ashtu si Milani, të dyja për ironinë e fatit ndaj Bolonjës.

Exit mobile version