Pas sigurimit të transferimit të Piotr Zielinskit nga Napoli dhe Mehdi Taremit nga Porto, Interi është gati të bëjë goditjen e radhës me parametra zero për sezonin e ardhshëm, këtë herë në repartin e mbrojtjes.
Qendërmbrojtësi i Atleticos së Madridit, Mario Hermoso është emri i pëlqyer prej kohësh në listën e drejtuesve të Interit, teksa mediat italiane bëjnë të ditur se edhe trajneri Inzaghi ka dhënë miratimin për të nënshkruar me spanjollin.
28-vjeçari ka kontratë deri në fund të këtij sezoni me “Los Colchoneros” dhe deri tani ka refuzuar çdo ofertë për të rinovuar, teksa nga kjo situatë janë italianët ata që do të përfitojnë, duke i ofruar një kontratë 5-vjeçare me pagë 5 milionë euro në sezon.
Te Interi janë plotësisht të bindur me cilësitë e mbrojtësit, që ka treguar se di të bëjë shumë mirë si mbrojtës i qendrës në rreshtimin me tre, ashtu edhe atë të krahut të majtë. Në këtë mënyrë ai do të shndërrohej në një alternativë mjaft të vlefshme për mbrojtjen zikaltër, teksa vlerësohet shumë edhe eksperienca në nivelin ndërkombëtar.
Mbrojtësi i rritur në akademinë e Real Madridit është aktivizuar në të kaluarën te Valladolid dhe Espanyol, teksa prej 5 sezonesh është titullar i padiskutueshëm te Atletico e Madridit./UBTNews/