Kampioni italian Inter dhe mesfushori danez, Christian Eriksen kanë vendosur që të ndajnë rrugët mes vete, pasi që të dy palët me marrëveshje të dyanshme kanë shkëputur kontratën aktuale.
Lajmin e ka konfirmuar gazetari i njohur italian, Fabrizio Romano, ku pritet të bëhet zyrtare së shpejti edhe nga klubi dhe vetë lojtari.
Eriksenit nuk i lejohet që të ushtrojë profesionin e tij në Itali, respektivisht në Serie A, për shkak se kjo e fundit nuk lejon që lojtarët me pajisje në zemër të luajnë futboll.
Në ndeshjen hapëse të Kampionatit Evropian Euro 2020 mes Danimarkës e Finlandës, Eriksen kishte humbur ndjenjat gjatë ndeshjes, ku më pas pësoi arrest kardiak në fushë.
Si pasojë e kësaj, Eriksen tani mban në zemër një pajisje e cila rregullon dhe mban në nivel rrahjet e tij të zemrës.
Ylli danez tani do të jetë i lirë që të bisedojë me skuadrat të cilat kanë shprehur interesim në shërbimet e tij, dhe t’i rikthehet futbollit në një ligë në të cilën i lejohet të luaj me pajisjen që ka në zemër.