Nga data 30 gusht deri më 30 shtator klubi i basketbollit Prishtina do të zhvillojë një kamp stërvitor me grupmoshat e reja në bashkëpunim me klubin nga Spanja, Real Madridin.
Kryetari i KB Prishtinës, Burim Maraj e ka cilësuar këtë iniciativë si një mundësi të madhe dhe shumë interesante për basketbollistët e rinj. Ai për KosovaPress ka thënë së ky është një hap i ri dhe shumë interesant dhe ka një rëndësi të madhe si për klubin ashe edhe për qytetin dhe gjeneratat e reja.
“Kampi i Real Madridit është diçka shumë e re në Kosovë. Po besoj që kemi sjellë një risi të re. Për ne si klub, si udhëheqësi e re është vërtetë një gjë shumë e rëndësishme edhe për klubin edhe për qytetin edhe për gjeneratat e reja. Fillimi i bisedimeve me kampin kemi filluar të bisedojmë më Robin Krasniqin i cili është një menaxher i sportit nga Austria me të cilin kemi biseduar dhe e kemi bërë realitet këtë kamp. Kampi fillon më 30 gusht dhe mbaron më 10 shtator. Është një mundësi e jashtëzakonshme për gjeneratat e reja”, tha Maraj.
Më tutje Maraj bëri të ditur se interesimi për t’u regjistruar në këtë kamp është shumë i madh ku përfshihen gjeneratat nga 6 deri në 18 vjeç.
“Ka interesim shumë, jemi shumë të kënaqur me pjesëmarrje, besoj që ne këto mundësi nuk duhet t’i lëshojmë. Është mundësi e jashtëzakonshme për të punuar me ekspertët e kampit të Real Madridit edhe është shumë e rëndësishme që një eksperiencë të cilën ata mund ta bartin të fëmijët tonë, të gjenerata e reja mos të lihet anash…Grupmosha më e re është 6-vjeç, është për meshkuj dhe femra dhe vazhdon deri me grupmoshën 18-vjeçare, për femra dhe meshkuj”, vijoi ai.
Kryetari i KB Prishtinës gjithashtu duke folur për KosovaPress bëri të ditur se pjesëmarrësit në këtë kamp stërvitor do ta kenë mundësinë edhe për një muaj shtesë pa pagesë më klubin nga kryeqyteti.
“Kampi mbahet në shkollën ‘Don Bosko’. E kemi siguruar objektin, është një sallë shumë e mirë, me fasilitet shumë të mirë për të pasur aktivitetin e kampit aty kështu që çdo gjë nga ana jonë është e siguruar. Shumë shpejtë po presim të na vijnë trajnerët edhe të përgatitemi me pjesën e fanellave e kështu me radhë. Do të jetë një gjë shumë interesantë për fëmijët…. Është po ashtu e rëndësishme të ceket se gjithë kampi do të përcillet edhe nga trajneri Ante Nazori dhe po ashtu është mirë të ceket që gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësi ta vazhdojnë stërvitjen në shkollën e Prishtinës edhe për një muaj pa pagesë shtesë. Këta pjesëmarrës që marrin pjesë në kamp mund të vazhdojnë me stërvitje edhe për një muaj”, tha në fund Maraj.