UBT News

Interesim i jashtëzakonshëm i maturantëve të gjimnazit “Gjon Buzuku” për programet e UBT-së

UBT, Qendra në Prizren ka zhvilluar një aktivitet informues dhe promovues me maturantët e Gjimnazi “Gjon Buzuku” në Prizren, me qëllim ofrimin e këshillimit të drejtpërdrejtë për zgjedhjet akademike dhe profesionale.

Ky aktivitet u realizua nën udhëheqjen e drejtorit të UBT-së për këtë qendër, Vehbi Sofiu, së bashku me stafin akademik të përbërë nga profesorët Lamir Shkurti, Diellza Elshani dhe Mirjeta Arifi, të cilët prezantuan në mënyrë të detajuar ofertën akademike dhe mundësitë që ofron UBT për studentët e ardhshëm.

Pjesëmarrësit u pritën nga drejtoresha e shkollës, Gylaj Shipkovica, e cila shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe theksoi rëndësinë e orientimit të hershëm në karrierë për nxënësit maturantë. Ajo vlerësoi iniciativa të tilla si shumë të nevojshme për të ndihmuar të rinjtë në marrjen e vendimeve të duhura për të ardhmen e tyre, duke theksuar se përzgjedhja e drejtimit të studimit duhet të jetë në harmoni me aftësitë dhe ambiciet individuale.

Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, profesorët e UBT-së ndanë informacione konkrete mbi programet studimore, duke u fokusuar në fushat më të kërkuara në tregun e punës, si dhe në zhvillimet më të fundit në arsim dhe teknologji. Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së ndërlidhjes së studimeve me praktikën profesionale, inovacionin dhe ndërkombëtarizimin, si elemente kyçe që UBT i integron në programet e veta.

Aktiviteti u karakterizua nga një bashkëbisedim interaktiv, ku nxënësit patën mundësi të parashtrojnë pyetje rreth programeve, bursave, praktikave dhe mundësive të punësimit pas përfundimit të studimeve. Interesimi i lartë i maturantëve dëshmoi nevojën për orientim të strukturuar në këtë fazë të rëndësishme të jetës së tyre.

Përmes këtij organizimi, UBT edhe një herë konfirmon përkushtimin e tij për të qenë pranë të rinjve, duke i mbështetur ata në ndërtimin e një rruge të qartë drejt zhvillimit akademik dhe profesional, në përputhje me standardet bashkëkohore të arsimit dhe kërkesat dinamike të tregut të punës.

Exit mobile version