Koncerti i reperit amerikan Kanye West, që do të mbahet më 11 korrik në Tiranë, ka zgjuar interes të madh edhe jashtë Shqipërisë. Sipas kryeministrit Edi Rama, numri i biletave të blera nga shtetas të huaj për këtë event ka tejkaluar atë të finales së Conference League, e zhvilluar më parë në kryeqytetin shqiptar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga stadiumi i ndërtuar posaçërisht për koncertin, duke bërë të ditur se përgatitjet kanë hyrë në fazën përfundimtare.
“Mirëmëngjes, dhe me stadiumin e ngritur enkas për koncertin më të madh që ky vend ka parë ndonjëherë, për të cilin janë blerë nga të huajt më shumë bileta sesa për finalen e Conference League në Tiranë, e i cili do ta kthejë Tiranën të shtunën, më 11 korrik, në kryeqytetin botëror të spektaklit muzikor, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.
“Eagle Stadium”, i vendosur pranë autostradës Tiranë–Durrës, pritet të mirëpresë rreth 60 mijë spektatorë, duke u konsideruar si eventi më i madh muzikor i organizuar ndonjëherë në Shqipëri. Çmimet e biletave nisin nga 120 euro, ndërsa paketat VIP arrijnë deri në 339 euro.
Ndalimi në Tiranë është pjesë e turneut botëror të Kanye West për vitin 2026, një turne që në disa vende është shoqëruar me polemika.
Një muaj më parë, artisti performoi në Stadiumin Olimpik “Atatürk” në Stamboll. Sipas organizatorëve, koncerti u ndoq nga rreth 118 mijë spektatorë, ndërsa vetë West deklaroi se ishte vendosur një rekord për numrin më të madh të të pranishmëve në një koncert stadiumi.
Koncerti në Tiranë organizohet nga kompania “Streetlife”, me seli në Berlin, e njohur për organizimin e performancave të artistëve ndërkombëtarë si 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj. Në Shqipëri, eventi mbështetet nga Redcloud dhe Live Label./A.K/
