Inter ka vendosur të aktivizojë opsionin e blerjes për Manuel Akanjin me vlerë 15 milionë euro, për ta transferuar mbrojtësin zviceran në mënyrë të përhershme nga Manchester City në fund të këtij sezoni, raporton eksperti i merkatos Nicolo Schira.
Akanji iu bashkua zikaltërve në formë huazimi në ditën e fundit të afatit të verës dhe ka bindur drejtuesit e klubit me paraqitjet e tij të sigurta dhe të qëndrueshme.
Ai ka qenë titullar në të katër ndeshjet e Serie A këtë sezon, duke u bërë një element kyç në mbrojtjen e Christian Chivus.
30-vjeçari është i gatshëm të bëhet pjesë e projektit afatgjatë të Interit dhe ka rënë dakord për kushtet personale me klubin italian.
Marrëveshja e re pritet të zgjasë deri në vitin 2029, me një pagë vjetore prej 4.5 milionë eurosh.
Ky transferim siguron Interit stabilitet në prapavijë, ndërsa Akanji shihet si pasardhës i natyrshëm i veteranëve të mbrojtjes zikaltër në një fazë rinovimi të skuadrës. /A.Z/UBT News/