UBT News

​INSTAT: Ekonomia në Shqipëri u rrit me 3,51%

INSTAT publikoi sot raportin mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto , ku theksuan se ekonomia në Shqipëri u rrit me 3,51% në tremujorin e dytë të vitit 2025, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2024.

INSTAT njoftoi se sektorët kryesorë që udhëhoqën rritjen ekonomike në vend ishin rritja e pagave, shitja e pronave dhe sektori i shërbimeve.

Konkretisht sektorët që kanë dhënë kontributin më të madh në rritjen e PBB-së konsiderohen Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,65 pikë përqindje; Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor me +0,47 pp; Aktivitetet e pasurive të paluajtshme me +0,37 pp; Ndërtimi me +0,30 pp; Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,27 pp; Informacioni dhe Komunikacioni me +0,11 pp; Artet, argëtimi dhe çlodhja; aktivitete të tjera shërbimi me +0,08 pp; Aktivitete financiare dhe të sigurimit me +0,03 pp.

Ndërkohë, dy sektorë kanë dhënë kontribut negativ në këtë tremujor janë si Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me -0,46 pikë përqindje dhe Industria, Energjia dhe Uji me -0,18 pikë përqindje.

Sipas INSTAT konsumi final i popullatës është rritur me 3,88%, duke reflektuar përmirësim të fuqisë blerëse dhe konsumit të brendshëm. Konsumi final i qeverisë ka shënuar një rritje të fortë prej 12,44%, duke reflektuar investimet publike dhe zgjerimin e shpenzimeve shtetërore.

Ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve për këtë periudhë u rritën me 0,97%, ndërsa importet u rritën me 3,26%, çka sugjeron një kërkesë më e lartë për mallra të huaja, por gjithashtu një ekonomi në zgjerim.

Këto të dhëna konfirmojnë vijimësinë e rritjes së qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë, me bazë të gjerë dhe mbështetje nga rritja e konsumit dhe investimeve, por gjithashtu theksojnë nevojën për diversifikim dhe modernizim të sektorëve prodhues./S.K/KP/ATSh/

Exit mobile version