Një hetim i thelluar i “BBC Eye” ka zbuluar një skandal në platformën Instagram në Indi, ku reklama të paguara dhe të miratuara nga sistemi i moderimit të Meta-s promovonin hapur materiale të abuzimit seksual me fëmijët.
Reklamat përdornin terma të drejtpërdrejtë dhe përmbanin lidhje që i dërgonin përdoruesit në kanale të aplikacionit Telegram, ku këto materiale shiteshin për më pak se një dollar.
Gjatë këtij hetimi, BBC raportoi një nga këto reklama tronditëse, por Instagram u përgjigj fillimisht se postimi nuk shkelte rregullat e komunitetit. Vetëm pasi mediat kërkuan komente zyrtare, kompania Meta ndërhyri duke bllokuar llogaritë dhe duke deklaruar se asnjë sistem nuk është i përsosur, ndërsa premtoi rritjen e përdorimit të inteligjencës artificiale për të shmangur gabime të tilla.
Ky rast ka ngritur alarm të madh te autoritetet dhe ekspertët ligjorë në Indi, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Gjykatës Supreme. Ata theksojnë se rrjetet sociale nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë penale kur përfitojnë financiarisht nga aktivitete të tilla kriminale. Të gjitha gjetjet e këtij hetimi tashmë u janë dorëzuar autoriteteve indiane për ndjekje të mëtejshme. /BBC/ /E.A/
