Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në treg.
Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe kanë sekuestruar produkte që nuk kishin deklaracion të prejardhjes. Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë prej 6,000 eurosh pasi u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.
Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.
“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /E.A/
