UBT News

Inspektorati i Punës ndalon punimet në 17 vendpunishte brenda 48 orëve

Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektues në të gjithë territorin e Kosovës, duke u fokusuar 100% në sektorin e ndërtimtarisë si një fushë me rrezikshmëri të lartë. Sipas raportit të fundit 48-orësh, inspektorët kanë ndërhyrë duke ndaluar procesin e punës në 17 vendpunishte ku janë konstatuar shkelje të rregullave.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar gjithsej 46 inspektime dhe 37 riinspektime. Prishtina dhe Gjilani prijnë me numrin më të lartë të ndalimeve të punimeve, përkatësisht me 8 dhe 7 raste. Inspektorati njofton se për të gjitha subjektet ku është vendosur ndalimi i punës, do të iniciohen menjëherë kërkesa për kundërvajtje në gjykatat përkatëse.

Ky aksion, i cili zbatohet me urdhër të Ministrisë së Punës, Financave, Mirëqenies dhe Vlerave të Luftës (MPFVLÇ), synon rritjen e sigurisë në punë. Në raport theksohet se në 14 raste janë eliminuar parregullsitë pas ndërhyrjes së inspektorëve, ndërsa procesi i riinspektimeve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për të siguruar mbrojtjen e plotë të punëtorëve në vendet e punës.

 

Exit mobile version