Në një ditë tepër simbolike, më 8 tetor, e cila shënon një numër që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij, Andrés Iniesta, legjenda e futbollit spanjoll dhe ish-mesfushori i Barcelonës, shpalli zyrtarisht tërheqjen nga futbolli profesionist. Konferenca për shtyp u zhvillua në vendlindjen e tij, Barcelonë, ku ai ishte i rrethuar nga familja dhe dashamirësit e tij, duke krijuar një atmosferë emocionale dhe nostalgjike.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që më shoqëruan sot dhe ata që nuk arritën të vinin në këtë ditë të veçantë. Lejoni që të emocionohem, nuk do ta kisha menduar kurrë…,” tha Iniesta, duke shpërthyer në lot. “Këta janë lot emocioni dhe krenarie, lotët e atij djalit nga Fuentealbilla, që pas shumë sakrificash nuk u dorëzua kurrë…”
Fjalët e tij ishin një reflektim i thellë mbi një karrierë të jashtëzakonshme. Ai theksoi se vlerat e sakrificës dhe përkushtimit kanë qenë thelbësore në jetën e tij, duke e bërë të ndjehet krenar për gjithçka ka arritur. “Arrita ëndrrën time për t’u bërë një futbollist profesionist, ishte ajo që doja për më tepër,” shtoi ai.
Karriera e Iniesta-s është një model suksesi dhe përkushtimi. Ai ka fituar gjithçka me Barcelonën, duke e bërë atë një nga futbollistët më të rëndësishëm në histori. Mes trofeve të shumtë, ai ka siguruar katër tituj në Ligën e Kampioneve, tri Botërorë për Klube, nëntë kampionate, tre Superkupa Evropiane, gjashtë Kupa të Mbretit dhe shtatë Superkupa Spanjolle.
Përfaqësuesja e Spanjës gjithashtu ka shënuar suksese të mëdha nën drejtimin e Iniesta-s, i cili fitoi dy Kampionate Evropiane (2008 dhe 2012) dhe një Botëror, ku shënoi golin vendimtar në finale kundër Holandës, duke cementuar kështu statusin e tij si legjendë të futbollit.
Tërheqja e tij shënon fundin e një epoke dhe një trashëgimi që do të kujtohet gjithmonë në botën e futbollit. Fansat dhe kolegët e tij e pranuan këtë lajm me një përzierje të emocioneve, duke reflektuar mbi ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në sportin që e do aq shumë./UBTNews/