UBT News

Influencer Marketing në Praktikë: Donna Gorani Sylaj dhe Lindrit Zogaj mbajnë ligjëratë me studentët e MBE Master në UBT

Në kuadër të lëndës “Menaxhimi i Marketingut”, studentët e Fakultetit MBE – niveli Master në UBT, të udhëhequr nga profesoresha Gonxhe Beqiri, mirëpritën në një ligjëratë të veçantë influenceren Donna Gorani Sylaj dhe gazetarin-influencerin Lindrit Zogaj. Aktiviteti u mbajt të martën, më 5 maj 2026, në ambientet e UBT-së në Prishtinë.

Gjatë ligjëratës, Donna Gorani Sylaj ndau me studentët përvojën e saj profesionale në fushën e marketingut influencues, duke folur për mënyrën se si funksionon Influencer Marketing në praktikë, strategjitë që përdoren për ndërtimin e një audience aktive, si dhe bashkëpunimet me bizneset dhe brendet e ndryshme.

Ajo theksoi rëndësinë e autenticitetit, kreativitetit dhe konsistencës në krijimin e përmbajtjes digjitale, ndërsa foli edhe për sfidat dhe avantazhet e të qenit aktive në këtë industri që po zhvillohet vazhdimisht. Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe përgjegjësive ligjore dhe obligimeve të influencerëve ndaj shtetit si taksapagues.

Ndërkaq, Lindrit Zogaj ndau me studentët perspektivën e tij mbi ndikimin e rrjeteve sociale në komunikim, median moderne dhe krijimin e përmbajtjes që arrin të ndikojë tek publiku.

Studentët treguan interesim të madh gjatë diskutimeve, duke parashtruar pyetje të ndryshme rreth mundësive që ofron tregu digjital, ndërtimit të brendit personal dhe mënyrave të zhvillimit të karrierës në fushën e marketingut dhe mediave sociale.

Në fund të takimit, studentët dhe stafi akademik falënderuan mysafirët për ligjëratën interaktive, këshillat profesionale dhe motivimin e ofruar për të rinjtë që synojnë të zhvillojnë ide inovative dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron tregu në Kosovë.

Exit mobile version