UBT News

Infantino rizgjedhet shef i FIFA-s deri në vitin 2027

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino thotë se ka nevojë për “shumë më shumë” futboll pasi të jetë rizgjedhur deri në vitin 2027.

Organi qeverisës i futbollit botëror ka njoftuar këtë javë një Kupë të Botës 2026 të zgjeruar dhe ka zbuluar një Kupë të re Botërore për Klube me 32 ekipe.

Por zgjerimi i kalendarit të futbollit është kritikuar nga sindikatat e lojtarëve dhe La Liga, përcjell UBT News.

“Kur dëgjoj se ka shumë futboll, po, ndoshta në disa vende, por jo kudo”, tha Infantino.

“Në fakt, në shumicën e pjesëve të botës nuk luhet mjaftueshëm futboll. Ne kemi nevojë për më shumë e jo më pak gara, duam që futbolli të zhvillohet në mbarë botën.

Ne jemi duke diskutuar organizimin e një Kupe Botërore për Klube për femra dhe një Seri Botërore të FIFA-s në mars çdo dy vjet, kur skuadrat janë të lira nga luajtja e kualifikimeve”.

Kupa e Botës 2026, e cila do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, do të shohë rritjen e numrit të skuadrave nga 32 në 48.

Turneu do të ketë 104 ndeshje në vend të 80 të parashikuara, pasi FIFA ndryshoi formatin e propozuar prej 16 grupesh me tre ekipe në 12 grupe me katër./UBTNews/

Exit mobile version