Gianni Infantino do të përballet për herë të parë me kundërkandidat në garën për rizgjedhjen në krye të FIFA-s, që nga marrja e presidencës në vitin 2016.
FIFA ka konfirmuar zyrtarisht se Philippe Diallo, president i Federatës Franceze të Futbollit (FFF), dhe Kozo Tashima, president i Federatës Japoneze të Futbollit, kanë paraqitur kandidaturat për zgjedhjet që do të mbahen në mars të vitit 2027.
Diallo e bëri publike kandidaturën të hënën, duke siguruar mbështetjen e federatave anëtare të UEFA-s të përfaqësuara në organet drejtuese të FIFA-s. Ndërkohë, Tashima kishte shprehur interesimin për këtë post më herët gjatë muajit, ndërsa kandidaturën zyrtare e dorëzoi të mërkurën.
Megjithatë, të dy kandidaturat duhet t’i nënshtrohen fillimisht shqyrtimit nga komisioni zgjedhor i FIFA-s, i cili do të vendosë për pranimin e tyre.
Sipas njoftimit të FIFA-s, lista përfundimtare e kandidatëve të propozuar dhe të pranuar do t’u dërgohet federatave anëtare jo më vonë se 18 shkurti 2027.
Kjo do të jetë hera e parë që Infantino do të ketë kundërshtarë në garën presidenciale, pasi në vitin 2023 ishte rizgjedhur pa asnjë rival.
Presidenti 56-vjeçar është përballur kohëve të fundit me kritika dhe thirrje për dorëheqje, pas polemikave rreth projektit FIFA Forward Enterprise (FFE), përmes të cilit ishte propozuar shitja e aksioneve në Kupën e Botës dhe gara të tjera madhore të organizuara nga FIFA.
Një zhvillim interesant në këtë garë është edhe fakti se Philippe Diallo, i cili mori drejtimin e Federatës Franceze të Futbollit në vitin 2023, më herët kishte luajtur rol të rëndësishëm në sigurimin e mbështetjes evropiane për Infantinon lidhur me këtë projekt.
Pavarësisht kritikave dhe kundërkandidatëve të mundshëm, Infantino mbetet optimist për rizgjedhjen, duke shprehur bindjen se ka mbështetjen e mjaftueshme të federatave anëtare për të siguruar një mandat tjetër në krye të futbollit botëror.
D.L
