UBT News

Infantino drejt mandatit të katërt në FIFA, rivali i mundshëm tërhiqet nga gara

Spain v Argentina - FIFA World Cup, WM, Weltmeisterschaft, Fussball 2026 Gianni Infantino gestures during the award ceremony following the FIFA World Cup 2026 final football match between Spain and Argentina. Spain won 1-0 over Argentina after extra time. East Rutherford United States Copyright: xNicolòxCampox

Gjasat që Gianni Infantino të rizgjidhet president i FIFA-s janë rritur ndjeshëm, pasi Victor Montagliani pritet të kandidojë për një mandat të fundit në krye të CONCACAF-it, në vend që ta sfidojë atë.

Kanadezi 61-vjeçar konsiderohej si një nga kandidatët e mundshëm përballë Infantinos, pas kritikave të shumta ndaj planit të FIFA-s për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës te investitorët privatë. Megjithatë, Montagliani nuk e kishte konfirmuar asnjëherë zyrtarisht synimin për të kandiduar për kreun e FIFA-s.

Sipas gazetës britanike “The Guardian”, Montagliani nuk do të hyjë në garë kundër Infantinos, i cili synon mandatin e katërt në zgjedhjet e marsit.

Ndërkohë, kundërshtarët e presidentit aktual, të udhëhequr nga UEFA, duhet të gjejnë një kandidat të përbashkët deri më 18 nëntor.

Një tjetër mbështetje e rëndësishme për Infantinon erdhi nga Konfederata Afrikane e Futbollit, pasi të 54 federatat anëtare të saj shprehën përkrahje unanime për rizgjedhjen e tij.

“Është vendim unanim i të gjitha 54 vendeve anëtare të Konfederatës Afrikane për përkrahje pa kushte të Giannit si president i FIFA-s”, deklaroi presidenti i CAF-it, Patrice Motsepe, duke vlerësuar kontributin e Infantinos për zhvillimin e futbollit afrikan.

Ndërkohë, Aleksandar Çeferin synon të vazhdojë në krye të UEFA-s, duke e bërë garën për drejtimin e futbollit botëror edhe më interesante në muajt e ardhshëm.

D.L

Exit mobile version