UBT News

Indonezi: Revoltë e punëtorëve në një shkritore të nikelit, dy të vdekur

Dy persona u vranë në një trazirë nga punëtorët në shkritoren e nikelit të kompanisë PT Ganbuster Nickel Industries (GNI) në ishullin indonezian Sulawesi gjatë fundjavës, njoftoi sot zëdhënësi i policisë qendrore të rajonit Sulawesi, Didik Supranoto.

71 persona u arrestuan dhe puna në shkritore u pezullua, tha Supranoto.

Punëtorët kërkuan paga më të larta dhe kushte më të mira pune dhe protesta u shndërrua në përplasje të dhunshme me sigurimin e shkritores.

Në përleshjet e dhunshme u dogjën disa automjete të kompanisë dhe u dëmtuan rreth 100 dhoma konviktesh.

Në këtë vend pune vitin e kaluar pati dështime të mëdha sigurie me rezultat fatal, tha protestuesi dhe ish-punonjësi i kompanisë GNI, Mingu Bulu.

Ai deklaroi se masat e sigurisë dhe shëndetit në punë në GNI, e cila u hap në fund të vitit 2021, janë në nivel shumë të ulët dhe se protestuesit kërkojnë vetëm respektimin e ligjit nga kompania.

Kompania GNI, e cila është në pronësi të industrisë kineze Jiangsu Delong Nickel, lëshoi një deklaratë duke njoftuar një hetim të detajuar për këtë incident tragjik.

Ishulli indonezian i Sulawesi-t, i pasur me depozita minerale, është vënë në sy nga investitorët e huaj që shfrytëzojnë nikelin për bateritë në makinat elektrike.

Exit mobile version