Një sondazh që u krye së fundi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor dhe Neuroshkencave të Indisë (NIMHANS) thekson se gati 150 milionë indianë kanë nevojë për shërbime të kujdesit të shëndetit mendor, megjithatë vetëm më pak se 30 milionë njerëz kërkojnë ndihmë shëndetësore në këtë drejtim.
“Mbi 10% e popullsisë përballet me probleme të shëndetit mendor apo përdor substanca. Shëndeti mendor është parësor dhe trajtimi për çrregullimet mendore nuk është luks, por domosdoshmëri”, tha për DW Pratima Murthy, drejtore e NIMHANS.
Anketa Kombëtare e Shëndetit Mendor shqyrtoi çështje të tilla si sëmundshmëria mendore, që lidhet me përkeqësimin fizik dhe psikologjik që rezulton nga një gjendje psikologjike. Kjo anketë trajtoi edhe neurozën dhe çrregullimet e stresit. Sondazhi erdhi në përfundim se 1% e pjesëmarrësve të anketuar janë në rrezik të lartë për vetëvrasje.
Në vitin 2017, një studim që u krye mbi shëndetin mendor në Indi nga revista mjekësore Lancet, theksoi se diagnozat e çrregullimeve psikologjike u dyfishuan nga viti 1990 deri në vitin 2017.
Nuk ka mjaftueshëm profesionistë të shëndetit mendor
Në Indi, çrregullimet e shëndetit mendor shpesh mbeten të fshehura, pasi ka mungesë edukimi dhe ndërgjegjësimi në lidhje me çrregullimet psikologjike.
“Shumë fëmijë dhe të rinj përjetojnë probleme të shëndetit mendor në Indi. Megjithatë stigmat sociale dhe qëndrimet negative ndaj shëndetit mendor i pengojnë të rinjtë të kërkojnë mbështetjen që kanë nevojë. Është koha për të thyer heshtjen rreth shëndetit mendor dhe sëmundjes”, tha një zëvendës përfaqësues nga UNICEF India, Arjan de Wagt për DW.
Madje nuk ka mjaftueshëm as profesionistë të shëndetit mendor për të trajtuar njerëzit që kërkojnë ndihmë. Kjo është veçanërisht e dukshme në pjesët rurale të Indisë.
Sipas Gazetës Indiane të Psikiatrisë, raporti është 0.75 psikiatër për çdo 100 mijë pacientë në Indi. Kjo gazetë sugjeron se raporti më i mirë do të ishte tre psikiatër për çdo 100 mijë pacientë. Por edhe ky numër është i ulët në krahasim me vendet sikurse Gjermania, ku ka më shumë se 13 psikiatër për çdo 100 mijë pacientë që nga viti 2015, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Pavarësisht nga të dhënat që tregojnë një rritje të çështjeve të shëndetit mendor, Ministria e Shëndetësisë e Indisë në vitin 2022 ndau më pak se 1% të buxhetit të saj për t’u marrë drejtpërdrejt me sëmundjet psikologjike.
Shëndeti mendor duhet të jetë prioritet
“India ka nevojë për një qasje të decentralizuar ndaj shëndetit mendor që nuk drejtohet nga qeveria”, tha për DW, Nelson Vinod Moses, nga Fondacioni India për Parandalimin e Vetëvrasjeve.
“Ofrimi i subvencioneve dhe granteve për sigurimin e klinikave, spitaleve, inovacioneve të teknologjisë, kërkimeve, fushatave të shëndetit publik, është nevoja e kohës”, shtoi ai.
Anjali Nagpal, një psikiatër me qendër në Delhi, tha për DW se duhet të miratohen politika për ta bërë trajtimin e shëndetit mendor një prioritet kombëtar, gjë që më pas do të ketë një efekt pozitiv në trajtimin e sëmundjeve të tjera.
“Minimizimi i stigmës do të ndihmojë jo vetëm në uljen e barrës financiare për shkak të sëmundjeve të shëndetit mendor, por gjithashtu do të ndihmojë qeverinë të arrijë objektivat e saj në fusha të tjera mjekësore si diabeti, hipotiroidizmi, hipertensioni dhe kardiologjia, të cilat ndikohen nga shpërfillja e shëndetit mendor”, tha Nagpal.
Ndikoi edhe prodhimi ekonomik
Gjatë pandemisë së koronavirusit, ka pasur një rritje të dukshme të çështjeve të shëndetit mendor në nivel global. Në Indi, problemet e shëndetit mendor u vëren veçanërisht në mesin e punëtorëve shëndetësorë.
Muajin e kaluar, një studim nga Deloitte, një kompani konsulence menaxhimi, zbuloi se 47% e profesionistëve të anketuar e konsiderojnë stresin e shkaktuar nga vendi i punës si faktorin më të madh që ndikon në shëndetin e tyre mendor, që ndiqet nga sfidat financiare.
Raporti vlerësoi se çështjet e shëndetit mendor u kushtojnë punëdhënësve indianë rreth 14 miliardë dollarë në vit për shkak të mungesës së punës, produktivitetit më të ulët dhe humbjes.
OBSh vlerëson se problemet e shëndetit mendor i kushtojnë ekonomisë globale 1 trilion dollarë në vit në humbje të produktivitetit./UBTNews/