UBT News

Inaugurohet murali “Çast” në Prishtinë, në nderim të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Në Prishtinë është inauguruar murali “Çast”, një vepër artistike kushtuar viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Projekti është realizuar nga Fondacioni Jahjaga në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, ish-presidentja Atifete Jahjaga tha se murali përfaqëson një akt dinjiteti, kujtese dhe përgjegjësie ndaj së vërtetës historike.

Ajo theksoi se pas luftës Kosova trashëgoi pasoja të rënda, përfshirë mbi 20 mijë gra dhe burra që përjetuan dhunë seksuale, duke shtuar se murali është një dëshmi publike dhe një thirrje që kjo histori të mos harrohet.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se murali i vendosur në zemër të kryeqytetit do të shërbejë si kujtesë kolektive për brezat e ardhshëm dhe si nderim për të mbijetuarit e këtij krimi të luftës.

Ndërkaq, Igballe Rugova nga Rrjeti i Grave të Kosovës u shpreh se, përkundër njohjes së të drejtave të tyre, të mbijetuarave të dhunës seksuale ende u mungon drejtësia.

Murali “Çast” është vendosur pranë Kinemasë ABC në Prishtinë dhe synon të mbajë gjallë kujtesën për një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë.

/A.K/

Exit mobile version