Futbolli kosovar ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në zhvillimin e gjeneratave të reja. Në Kosovë është inauguruar zyrtarisht “FIFA Talent Academy Kosova”, projekt i përbashkët i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe FIFA-s, që synon identifikimin, zhvillimin dhe avancimin e talenteve të rinj.
Në ceremoninë inauguruese morën pjesë përfaqësues të FIFA-s, drejtues të FFK-së, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, trajnerë, prindër, futbollistë e futbolliste të reja, si dhe figura të njohura të futbollit kosovar.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e cilësoi hapjen e akademisë si një ditë të veçantë për futbollin e Kosovës, duke theksuar se projekti dëshmon besimin që FIFA ka në potencialin e vendit.
Ademi tha se akademia synon të nxjerrë gjeneratat e ardhshme të futbollistëve dhe futbollisteve që një ditë mund ta veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës.
“FIFA Talent Academy Kosova” ka një pozitë të veçantë në kuadër të programit të FIFA-s. Sipas drejtuesve të FFK-së, akademia në Kosovë është e treta në Evropë dhe e 15-ta në botë, ndërsa përfaqësuesi i FIFA-s, Tomas Danilevicius, theksoi se Kosova është e para në Evropë që ka një akademi të këtij lloji si për djem, ashtu edhe për vajza.
Danilevicius vlerësoi punën e FFK-së gjatë dy viteve të fundit në kuadër të programit “Talent Development Scheme”, duke theksuar se tashmë të gjithë talentet e rinj në Kosovë do të kenë mundësi më të mira për zhvillim.
Edhe ministri në detyrë i Sportit, Blerim Gashani, e vlerësoi inaugurimin si një investim të rëndësishëm në të ardhmen e sportit kosovar.
“Kjo akademi është një hap përpara në zhvillimin e futbollit dhe përfaqëson një investim në potencialin e të rinjve tanë”, deklaroi Gashani.
Ndërkohë, përfaqësuesi i FIFA-s për Kosovën, Arnar Vidarsson, bëri të ditur se puna në këtë projekt do të vazhdojë edhe me hapa të rinj, përfshirë përdorimin e teknologjisë për identifikimin dhe monitorimin e talenteve.
Sipas tij, pritet të instalohen kamera për regjistrimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve, ndërsa të dhënat e mbledhura do të përdoren për një proces më të avancuar të zhvillimit të futbollistëve dhe edukimit të trajnerëve.
Inaugurimi i “FIFA Talent Academy Kosova” shihet si një etapë e re për futbollin e moshave në vend, me synimin që talentet kosovare të zhvillohen në kushte profesionale dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Ceremonia u shoqërua edhe me program artistik nga kori i fëmijëve “Okarina”, ndërsa pas përfundimit të saj, futbollistët dhe futbollistet e reja iu drejtuan fushës për të vazhduar stërvitjet dhe rrugëtimin e tyre drejt niveleve më të larta.
Mesazhi i përbashkët i FFK-së dhe FIFA-s ishte i qartë: investimi në talentet e rinj është investim në të ardhmen e futbollit të Kosovës.
D.L
